Transmetuar më 17-10-2019, 22:44

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka punuar kundër interesave të Kosovës.

Gjatë një interviste televizive, në RTV Ora përballë gazetarit Artur Zheji, Haradinaj ka thënë se ish-ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, nuk pranoi  korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ai rezistoi.

"Rezistoi Ditmiri të them të drejtën, nuk i di motivet e tij meqenëse ai rezistoi në një detyrë e cila ishte pengesë pastaj ndodhën edhe lëvizjet edhe largimet pastaj të Ditmirit deri në mbërritjen e një kosovari të ri. Mund të jetë një djalë shumë i mirë", tha Haradinaj.

Haradinaj ka thënë më tej:

"Por unë nuk e besoj që ai e di se çfarë do të thotë për Kosovën se sa e dëmshme është për të ose ka dëgjuar vetëm argumente të tjera. Por hapja e kufijve pasi neve na thonë diplomatë ndërkombëtarë që ministri i jashtëm e argumenton e lobon idenë e hapjes së kufijve të shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. Por kam dëgjuar tha prej diplomatëve të tjerë pasi kështu po e argumentonte. Cakaj është tërhequr, ndoshta ka shtatë ose tetë muaj që nuk lobon më për të. Një vit më parë kur ai mori detyrën ishte mjaft entuziast. Për fat të keq po, Ditmiri jo, pasi ai ka mbajtur një qëndrim të heshtur ndaj shefit ose zhvillimeve por nuk u bë kurrë shtytës i kësaj ideje".