Transmetuar më 18-10-2019, 00:52

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se nuk e njeh Korab Litën si kryetar të grupit Demokrat, por njeh Rudina Hajdarin.

Ndaj Rudina Hajdari do të vijojë që të jetë në krye të grupit Demokrat të deputetëve që vijnë nga listat fundore të opozitës reale e cila qëndron jashtë parlamentit me një vendim politik unanim.

Në këtë mënyrë mazhoranca ka vënë edhe zyrtarisht nën kontroll opozitën me emrat e fundlistave opozitare.

Sherri mes këtyre personave që mbajnë prej disa muajsh poste deputetësh edhe pse nuk njihen nga opozita, erdhi pasi në datë 11 tetor, 7 deputetë të këtij grupi parlamentar, në një mbledhje të tyre, vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit, duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit. Por disa orë më pas, disa nga deputetët e këtij grupi, u tërhoqën nga firma.

Rudina Hajdari akuzoi Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi. I vendosur përballë kësaj situate, me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi, u shpreh sot në përfundim të seancës plenare, teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin.

“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat, të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën. Kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski, që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat. Nga verifikimi që kam bërë, kam tre gjëra për të thënë, e para, jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që çdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse.  Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet, pasi është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi.

Vendimi është pritur me duartrokitje nga deputetja Rudina Hajdari që do të vijojë që të jetë në krye të grupit parlamentar Demokrat.