Transmetuar më 18-10-2019, 11:18

Drejtuesit e vendeve të BE-së janë mbledhur në ditën e dytë të samitit në Bruksel, ku do të vendosin sot nëse Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’i hapen negociatat.

Zëdhënësi i Presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk konfirmoi axhendën e takimit, i cili tha se sot do të diskutohet për Axhendën strategjike dhe ndryshimet klimatike.

Dita e dytë e samitit nisi e paqartë për Shkupin dhe Tiranë, në një kohë kur liderët e BE-së, të mbledhur në Bruksel do të vendosin nëse do t’u ofrojnë bisedime të ndërlikuara të pranimit dy shteteve të Ballkanit apo rishikim të çështjes në një samit të mëvonshëm.

“Shpresoj të jetë e mundur arritja e një marrëveshjeje”, u shpreh kryeministri finlandez Antti Rinne.

Ndërsa anëtarja e Parlamentit Europian Tanja Fajon ka sulmuar ashpër Macron duke thënë se po luan një lojë të ndyrë duke cënuar besueshmërinë e Bashkimit Europian.

“Jam ekstremisht e zhgënjyer që Bashkimi Europian humbi edhe një tjetër mundësi për të demonstruar se çështjet e zgjerimit ka rëndësi dhe se ne i mbajmë premtimet tona. Bashkimi Europian është marrë sërish peng nga Franca e cila nuk kupton dhe vazhdojë të minojë interesin tonë për Ballkanin.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën një dritë jeshile për hapur bisedimet me BE ditën e djeshme. Parlamenti Europian mbetet një aleat i fortë gjithesi. Besueshmëria e Unionit është shkatërruar. Franca po luan lojë të ndyrë politike dhe kam frikë se të gjithë do të paguajnë çmimin”, shkruan Fajon./b.l/noa.al/