Transmetuar më 18-10-2019, 11:29

Një person është arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kanë marrë me forcë në makinë një person në Burrel.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 03:40, ku Policia e Komisariatit Mat ka marrë informacion se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, po ndodhte një konflikt mes disa personave.

Shërbimet e Policisë kanë nisur hetimet për verifikimin e rastit dhe rezultoi se shtetasi S. L., në bashkëpunim me shtetasit L. I., M. B., S.L., dhe I.K, për shkak të një konflikti të hershëm dyshohet se nën kërcënimin e armës ka marrë me forcë në automjet shtetasin A. H., 31 vjeç dhe më pas e ka dërguar në banesën e shtetasit I. K., në fshatin Batër e Madhe, Burrel.

Falë reagimit të mënjehershëm të Policisë dhe hetimeve të kryera nga ekspertët e Policisë është bërë i mundur arrestimi i shtetasit: S. L., 32 vjeç, banues në Burrel.

U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: S. L., 31 vjeç, L. I, 34 vjeç, M. B., 24 vjeç, të gjithë banues në Burrel. Si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. K.

Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar nga Policia arma e zjarrit tip kallashnikov model 56, me 15 fishekë dhe automjeti tip “Mercedes Benz”, i përdorur nga këta shtetas.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe minicioneve luftarake”./b.l/noa.al/