Transmetuar më 18-10-2019, 12:46

Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Siç raporton “EuObserver”, pasditen e të enjtes, teksa foli në hapjen e samitit të Këshillit Evropian në Bruksel, ai tha:

“Ne mbështesim hapjen e menjëhershme të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Komisioni Evropian është në favor të kësaj dhe ne do ta kemi të vështirë t’i shpjegojmë njerëzve të atyre vendeve pse po i vonojmë ata”.

“Kur ne u bëjmë thirrje vendeve fqinje të bëjnë një përpjekje shtesë për të ndryshuar dhe ata e bëjnë këtë, është detyra jonë që t’i bashkohemi kësaj përpjekje”, tha ai.