Transmetuar më 18-10-2019, 14:52

Kancelarja Angela Merkel ka folur sot për mungesën e konsensusit mes vendeve të BE-së për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Merkel, ka deklaruar se vendi i saj dëshiron që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por, ajo deklaroi se tashmë BE i ka kthyer shpinën këtyre dy vendeve, pasi janë disa vende që kanë rezerva për hapjen e negociatave.

Merkel tha se ky vendim i BE-së patjetër që do të shkaktojë zhgënjim mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ajo tha se mirëkupton edhe qëndrimin e Presidentit Macron për reformimin e sistemit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

“I është kthyer shpina Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, janë disa vende që kanë rezerva për hapjen e negociatave. Ne kemi diskutuar për këtë, problemi është se cili do të jetë efekti nëse hapen negociatat. Patjetër që do të zhgënjehen si kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Unë fola me Zaev, por e mbështes në një pikë Macron sa i përket procesit ë zgjerimit që duhet reformuar.

Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë ne vërtetë dëshirojmë që të ndodhë hapja e negociatave. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave. Ndryshimi i emrit ka qenë një progres i madh, por edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bërë ende që të marrim një vendim unanim, ka pasur ndasi sa i përket një vendimi të përbashkët”, u shpreh Merkel.

Më tej ajo shtoi se, “Në Gjermani ka rezerva sa i përket Shqipërisë, bëhet fjalë për hapjen e negociatave të Shqipërisë, ata patjetër që duhet të përballen me disa kushte që ne kemi vendosur, në Shqipëri vazhdon të ketë probleme, përfshirë edhe emigrimin, megjithëse Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket kësaj çështje. Në fakt kur bëjmë premtime, patjetër që duhet t’i mbajmë dhe nuk duhet t’u kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që bëjmë premtime. Në fakt janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE”.