Transmetuar më 21-10-2019, 11:12

Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, apeloi drejtuesit vendorë të dalin mbi interesat e ngushta të tyre dhe të mendojnë për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin e qytetit. Apeli i Massafrës u bë gjatë meshës për festën e Zojës së Shkodrës.

“Dëshiroj t’ua drejtoj mendimin tim atyre që në këtë qytet kanë përgjegjësi drejtuese apo qeverisje për të siguruar bashkëpunimin faktik të të gjithë katolikëve shkodranë. Të kesh përgjegjësi nuk është arsye krenarie, por bëhet fjalë për tu kujdesur për të mirën e përbashkët me të gjithë vështirësitë që rrjedhin nga një gjë e tillë.

Të favorizohet më shumë bashkëpërgjegjësia e qytetarëve në mbarështimin e gjërave publike duke shmangur rrezikun e interesave private që nuk ndihmojnë në zhvillimin e vërtetë të një shoqërie. Në fund kam një mesazh ngushëllimi për të sëmurët dhe gjithë të vuajturit, të braktisurit dhe gjithë shtresat në nevojë që të keni shpresë dhe mos u dorëzoni, sepse Zoti nuk iu braktis kurrë”, u shpreh Massafra.

Festa tradicionale e Zojës së Shkodrës, që bie të hënën e parë pas së dielës së tretë të tetorit, kremtohet me mesha, lutje të ndryshme, procesione e nisma të tjera fetare e kulturore.