Transmetuar më 24-10-2019, 18:26

Luiza Xhuvani do të rikthehet sërish në skenë, pak muaj pas humbjes së njeriut të saj të shtrenjtë, bashkëshortin, Gjergj Xhuvani.

Aktorja e shquar do të vijë në skenë, në një mbrëmje poetike. U fol se ajo do ta ndërpriste karrierën, por Luiza duket se nuk është dorëzuar dhe do të vazhdojë të dhurojë emocione për publikun.

Me partnerin e saj skenik, Ndriçim Xhepën, Xhuvani pritet t’i dhurojë sërish emocione publikut, si dikur, pavarësisht se gjendja e saj shpirtërore nuk është më si dikur.

Kristian Koroveshi dha lajmin e rikthimit të saj, teksa bëri bashkë dy ikonat e skenës, Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa, mjaft të njohur me rolet tek filmi, “Flutura në kabinën time”.

Njoftimi i plotë:

Aktori Kristian Koroveshi me “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” ngjit në skenë Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa. Të enjten në datën 7 nëntor 2019, në orën 19:00 publiku kryeqytetas do të shijojë interpretimin e dy mjeshtrave të skenës, Luiza Xhuvani e Ndriçim Xhepa dhe aktorit të ri më të mirë i vlerësuar me këtë çmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, Kristian Koroveshi.

Lirika e dashurisë së Rumit, mishëron njeriun si qenie humane dhe si një vepër e natyrës, vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Tre aktorët e skenës shqiptare premtojnë emocione të papërsëritshme në këtë natë të teatrit të poemës dramatike. Ju ftojmë në një darkë për dashurinë, dialog poetik për jetën dhe një rrëfim i shpirtit./NOA.al