Transmetuar më 09-11-2019, 10:37

Këtë të premte, më në fund vogëlushi Alvin Berisha u bashkua me familjen e tij në Itali, pas pesë vitesh qëndrimi në kampin e Al Hol në Siri, ku e çoi e ëma.

Babai i tij Afrim Berisha i cili ngriti në këmbë Italinë dhe Shqipërinë për kthimin e djalit të tij, ka publikuar pamjet kur vogëlushi u takua me gjyshin.

Kjo pasi Alvini i kishte kërkuar të atit sapo ishin bashkuar që ta çonte te gyshi. Në pamjet më poshtë mund të shihni momentet emocionuese të takimit të vogëlushit me të moshuarin, mes përqafimeve dhe lotëve të gëzimit.

11-vjeçari mbërriti në Romë të Italisë të premten e 8 nëntorit, për tu bashkuar me të atin Afrim Berisha dhe dy motrat e tij.

Në operacionin e shpëtimit të tij morën pjesë Kryqi i Kuq ndërkombëtar, Gjysmë hëna e kuqe siriane, si dhe autoritetet italiane, shqiptare dhe ato të Libanit.

Alvin Berishës, mbahej në kampin e Al Hol në Siri, pasi u mor nga e ëma e cila u martua me një tjetër, pas largimit nga babai i 11-vjeçarit.

Gruaja fillimisht shkoi në Turqi pas një udhëtimi me avion dhe nga andej në Siri, ku ndryshoi identitetin dhe mori emrin Yushra. Në Siri ajo u martua me një xhihadist shqiptar dhe u bë edhe me një djalë. Mirëpo gruaja humbi jetën si pasojë e një shpërthimi bashkë me të shoqin dhe djalin e tyre, ndërsa Alvini mbeti i plagosur rëndë dhe u mbajt në kampin e Al Hol në Siri. /a.y/noa.al/