Transmetuar më 13-11-2019, 15:58

Një 58-vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Korçë, në rrethana të dyshimta. Telha Kelo nga fshati Pojan ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm për shkaqe të cilat ende nuk dihen ose të paktën familjarët pretendojnë kështu.

Babai i dy fëmijëve ka qenë i shtruar në spitalin e Korçës para dy ditëve nga ku mjekët nuk kanë hasur ndonjë problem përveçse dhimbje koke dhe barku.

Vëllai i viktimës tha se po kurohej prej dy ditësh nga tëmthi, ndërkohë që mjekët i bënin vetëm serume. Ai pretendon se i  kanë kërkuar mjekëve ta transportojnë në Tiranë por ata nuk kanë pranuar dhe nuk kanë dhënë asnjë diagnozë.

“I dhimbte koka. E solli burazeri me makinën e tij pardje, sot në mëngjes mbaroi. Fjalët e mjekut janë, nga dhimbja e kokës vdes njeri. Nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje më parë. Nuk e dimë me çfarë e kanë mjekuar, serume i bënin. Do bëhet më mirë na thanë mjekët.

I kemi kërkuar që ta çonim në Tiranë, na thanë që nuk e kemi nxjerrë ende diagnozën që ta dërgojmë në Tiranë. Sot kur erdhëm në orën 8:00 e morëm vesh. Nuk e di çfarë diagnoze do i vërë doktori që të shpëtojnë. E tërë nga doktori ka ardhur se po të kishte nxjerrë doktori diagnozën do ishin marrë masat”, deklaroi vëllai i viktimës.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Spitali Rajonal i Korçës i cili ka mohuar akuzat se shkak për vdekjen e Telha Kelos ka qenë mjekimi i gabuar nga ana e bluzave të bardha. Në reagimin zyrtar të mjekëve të spitalit thuhet se pacienti vuante nga Kolecistit Kalkuloz, ose gur në veshka. Gjendja e pacientit njofton spitali është rënduar mëngjesin e sotëm, ku fatkeqësish ndërroi jetë.

“ Pacienti T.K është paraqitur përpara dy ditësh në spital me ankesë dhimbje të kokës, menjëherë është kryer ekzaminimi i plotë duke përfshirë analiza laboratorike, EKG, eko abdominale, CT koke me contrast etj. Pas kryerjes së ekzamimimeve pacienti ka rezultuar me Kolecistit Kalkuloz.

Pas kësaj pacienti është shtruar në kirurgji. Gjendja e tij është rënduar mëngjesin e sotëm dhe pacienti është dërguar menjëherë në reanimacion dhe për rreth dy orë është trajtuar nga reanimatori.

Spitali Rajonal Korçë sqaron se bazuar në protokollet e mjekimit pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli. Jemi në pritje të autopsisë. Drejtoria e Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të spitalit./b.l/noa.al/