Transmetuar më 13-11-2019, 16:42

Një superaksion ndaj një grupi trafikantësh dhe shpërndarësish të lëndëve narkotike, çoi në pranga dy shqiptarë, si dhe 20 shtetas grekë, operacion që u zhvillua në Athinë.

Të arrestuarit dyshohet të jenë pjesë e shtatë bandave kriminale, që trafikonin lëndë narkotike në disa zona të ndryshme të kryeqytetit grek.

Mediat greke raportojnë se në operacion janë kontrolluar 20 shtëpi, ndërsa u sekuestrua një sasi kokaine dhe heroine me vlerë mbi 41 mijë euro, pistoleta, fishekë,  gjashtë makina si dhe një laborator droge.

Për të shpërndarë sasinë e lëndës narkotike ky grup përdorte mediat sociale, apo edhe aplikacione në internet, që të shmangnin kontaktet e drejtpërdrejta me persona të tjerë.

Grupi i trafikut gjatë komunikimit përdorte kode specifike për të mos u kuptuar nga autoritetet.

Hashashi kodohej me fjalët “Goma”, ose “jeshile”, ndërsa tabletat kishin kodin “karamelet”.

Heroina ishte koduar me fjalët “mish”, “gështenja” dhe “kafe”, për shkak të ngjyrës së saj më të errët, ndërsa kokaina me kodet “e bardhë” ose “dëborë”.

/NOA.al