Transmetuar më 13-11-2019, 18:14

Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, shihet si kandidati favorit për të marrë postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, në Shqipëri.

Edhe Zëri i Amerikës, në një artikull të sotëm, lidhur me tre kandidaturat që dolën sot para KLP-së, në seancën dëgjimore, evidentoi emrin e tij. Para se të mbyllet viti 2019, pritet të emërohet kryeprokurori i ri i Shqipërisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) nisi sot seancat dëgjimore me tre kandidatët e mbetur në garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, e cila hyn kështu në fazën përmbyllëse. Pas seancave të sotme, KLP, mbetet që të bëjë vlerësimin përfundimtar dhe renditjen e kandidatëve sipas një sistemi pikëzimi. Në garë janë Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Zonja Marku kërkon të marrë një mandat të plotë, pasi u emërua nga parlamenti me një mandat provizor në dhjetor të vitit 2017. Gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë në shënjestër të kritikave, sidomos të opozitës, për zvarritje sipas saj të hetimeve në çështje ku rezuton të implikuar eksponentë socialist, ndërkohë që dhe disa emërime apo lëvizje prokurorësh nga ana e saj janë shoqëruar, shpesh me polemika. Zonja Marku ishte e para që sot doli para anëtarëve të KLP-së.

Kandidatja e dytë Memçaj, ishte ndër të parat që kaloi testin e rivlerësimit. Ndërsa ka zhvilluar studime edhe jashtë vendit, ajo ka mbuluar detyrën e Prokurores së Apelit që prej viti 2013, ndërsa më parë ka mbuluar detyra administrative në Presidencë, apo për disa muaj dhe si drejtore kabineti e Prokurorit të Përgjithshëm në periudhën janar-shtator 2013. Ajo dallohet në veçanti për formimin e saj akademik.

Prokurori Çela shihet si një kandidat i fortë në garë. Ai është ndër të paktët që kaloi pa asnjë problem dhe pa ju ngritur asnjë dyshim, procesin e rivlerësimit, në të 3 kriteret e tij, atë formimit profesional, të pastërtisë së figurës, si dhe të pasurisë, kriter i cili ka qenë shkak që ka çuar në shkarkimin e pjesës dëremuese të gjykatësve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar rivlerësimit. Ai vjen në garën për Prokurorin e Përgjithshëm, pas një karriere të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të cilën e ka drejtuar dhe për disa vite.

Procesi për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, ishte ndër çështjet e para me të cilat u mor KLP-ja, menjëherë sapo nisi funksionin në fillim të këtij viti. Pas përmbylljes së seancave dëgjimore, një moment me rëndësi është renditja e kandidatëve, pasi ajo mund të rezultojë dhe përcaktuese për emrin që do të drejtojë në vitet e ardhshme organin e akuzës, ndonëse fjala e fundit i takon parlamentit. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon një shumicë të cilësuar me 3 të pestat e parlamentit. Në rast se ku quorum nuk arrihet, atëherë automatikisht, posti i kalon kandidatit të renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.