Transmetuar më 13-11-2019, 19:42

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të investuara fuqishëm për të ngritur në Shqipëri një sistem drejtësie sa më të drejtë, e të pakorruptuar, shpresën se projekti i tyre do të bëhet realitet, duket se kanë të bazuar tek rinjtë, ashtu si edhe BE-ja.

I ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Daniel Koski, doli sot dhe mbajti një fjalim në Ceremoninë e Diplomimit të Fakultetit Juridik të Tiranës.

"Shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni", theksoi ai para studentëve të sapodiplomuar, që presin të nisën punë së shpejti.

"Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben…Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë”, tha ai, mesazh të cilin e përcolli edhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë.