Transmetuar më 14-11-2019, 16:15

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e mbajtur sot pas dekretimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentit Meta, është mbyllur pak çaste më parë, ku mësohet se është vendosur hartimi i një projektrezolute.

Kjo projektrezolutë do t’i kalojë nesër Kuvendit për seancën e jashtëzakonshme, seancë që pritet të fillojë të enjten në ora 10:00 të paradites.

Kështu, pas vendimit të  Presidentit të Republikës Ilir Meta qe dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare te Gjykatës Kushtetuese, pritet që Kuvendi ta rrëzojë atë, duke thelluar edhe më tej përplasjet politike mes palëve.

Në projektrezolutë thuhet se dekreti i Metës për Marsida Xhaferllarin është i pavlefshëm.

“Kuvendi i Shqipërisë pasi u informua se Presidenti i Republikës ka nxjerr dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019 ‘Për emërimin e Znj. Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese’, dhe duke konsideruar se ky akt është nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, veprim i cili delegjitimon fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese konstaton:

Kushtetuta përcakton qartë se vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese emërohen/zgjidhen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Këto organe e ushtrojnë në mënyrë krejt të pavarur kompetencën kushtetuese dhe pa asnjë lloj ndërvarësie mes tyre. Të tre këto organe kufizohen të emërojnë/zgjedhin midis tre emrave të kandidatëve të listuar të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për Kuvendin dhe Presidentin, përvec kufizimit të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues nga kandidatët e listës që miraton Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka dhe një kufizim kohor për ushtrimin e kompetencës brenda një afati prekluziv tridhjetë ditor.

Mosushtrimi i kompetencës brenda këtij afati nga Presidenti dhe Kuvendi, sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (neni 125 i Kushtetutës, nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të Ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar)….

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”, thuhet në projektrezolutë.

Më tej, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, thuhet ndër të tjera në projekrezolutën që do t’i dërgohet nesër Kuvendit.  /NOA.al