Transmetuar më 14-11-2019, 16:53

I hapet rruga e realizimit të projektit të Bashkisë së Tiranës për Kopshtin Botanik.

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi sot padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Kështu bie edhe kundërshtimi i tyre ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës.

Gjykata i dha të drejtë pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Gjykata Administrative e Apelit argumentoi sot se padia e Rektorit të UT dhe e Dekanit të SHN është ngritur në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, organi që mund të shqyrtojë këtë akt të Këshillit të Ministrave është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe për këtë qëllim padia e paraqitur nga universiteti duhet të rrëzohet dhe të mos merret në shqyrtim. /NOA.al