Transmetuar më 14-11-2019, 18:48

Në ambjentet e Akademisë së Shkencave, po mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare "Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore".

Studiuesit e historisë paraqitën edhe versione rreth luftës, aq të debatueshme politikisht në vendin tonë. Siç dihet pas ’90, vendi ynë e ka festuar Çlirimin e Shqipërisë, në dy data të ndryshme, 28 dhe 29 Nëntor.

Mes studiuesve foli edhe prof. Valentina Duka (Tiranë), 28 apo 29 Nëntori: një shqyrtim kritik i dokumenteve arkivore shqiptare.

Pra, u diskutua pikërisht dita se kur u çlirua Shqipëria, teksa historianët nuk janë ende në një mëndje për një të tillë.

Madje edhe sot e kësaj dite, politika e feston e ndarë çlirimin e vendit.

Vështirë se gjen ndonjë vend tjetër në botë, që të ketë dy data të ndryshme për një ditë të tillë  historike, për më tepër kur bëhet fjalë për një periudhë që i ka dëshmitarë ende të gjallë.

Në këtë këndvështrim, tezat kundërshtuese të historisë sonë karshi fqinjëve, mund të rrëzohen lehtësisht prej tyre me pretendimin se kemi pasaktësi edhe në kohë moderne, e vetmja periudhë kur kemi pasur paralelisht shkrim e këndim në gjuhë shqipe dhe shtet të pavarur.

Dhe akoma më lehtësisht mund të rrëzohen tëra pretendimet e historianëve tanë mbi të kaluarën tonë antike dhe mesjetare.

Kështu, Akademia e Shkencave dhe i tërë sistemi arsimor në Shqipëri, u nevojitet urgjent një reformim, për të vënë dijen në fokus të saj. /NOA.al