Transmetuar më 14-11-2019, 20:00

Me numrin e lindjeve që po bie me ritme të larta, shtesa natyrore e popullsisë po tkurret ndjeshëm nga njëri tremujor në tjetrin, me ritme dyshifrore.

Nëse kësaj tendence i shtojmë dhe emigracionin e rigjallëruar vitet e fundit (sipas OKB-së nga Shqipëria ikin neto 39 persona në ditë), nuk do të jetë e largët disa kur në vend do të mbeten shumë pak njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve do të jenë të moshuar.

INSTAT bëri të ditur sot në treguesit demografikë se numri i lindjeve, për tremujorin e tretë 2019 rezulton 7 mijë e 403, duke shënuar një rënie prej 9,9 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Numri i vdekjeve, për tremujorin e tretë 2019 rezulton 4 mijë e 716, duke shënuar një rënie prej 5,1 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Gjatë tremujorit të tretë 2019, numri i lindjeve tejkaloi me 2 mijë e 687 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2019 pasqyron një rënie prej 17,1 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2018.

Në tremujorin e tretë 2019, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1 mijë e 223 numrin e vdekjeve, ndërsa i vetmi qark me shtesë natyrore me vlerë negative është ai i Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 53 numrin e lindjeve. /monitor