Transmetuar më 15-11-2019, 12:21

Panairi “Shqipëria Punon Tokën”, mbërrin këtë fundjavë në sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Çfarë është ky panair Është eventi më i madh për bujqësinë, zhvillimin rural dhe agrobiznesin në Shqipëri. Për dy ditë me radhë në zemër të Tiranës do të zërë vend ajo pjesë e Shqipërisë që punon e prodhon, për tregun vendas dhe për eksportin. Ky panair mbetet vitrina më e mirë për promovimin e produkteve shqiptare. Sivjet është edicioni i tretë i panairit, i cili po kthehet në një traditë të përvitshme. “Shqipëria Punon Tokën” është një mundësi e shkëlqyer komunikimi e fermerëve me njëri-tjetrin, për të shkëmbyer eksperienca, për të ndarë histori suksesi dhe vizionin se si mund të zhvillohet më tej bujqësia shqiptare, blegtoria, akuakultura, sektori i agropërpunimit e deri tek agroturizmi. Organizatorët Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Partnerë të eventit janë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si dhe Shoqata Bashkimi Tregtar i Prodhuesve Shqiptarë.

Pjesëmarrësit Në total pritet të jenë rreth 400 fermerë dhe sipërmarrës në fushën e agrobiznesit. Fermerë të vegjël anekënd Shqipërisë, si dhe biznese të mëdha në sektorin e buqjësisë, blegtorisë, agropërpunimit, bimëve medicinale dhe akuakulturës. Marrin pjesë bankat dhe institucionet e tjera financiare që kreditojnë bujqësinë dhe agrobiznesin. Bizneset në fushën e agroturizmit, rreth 12 të tilla nga i gjithë vendi. Biznese të ndryshme nga vendet e rajonit. (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi madje edhe Italia)

Risitë e edicionit të tretë

Në dallim nga viti i shkuar që ndarja e stendave ishte bërë sipas bashkive të vendit, sivjet kemi menduar që të bëjmë një organizim ndryshe. Vendosja në shesh e fermerëve dhe sipërmarrësve do të jetë e ndarë sipas sektorëve ku ata operojnë. Për shembull ata që përpunojnë qumështin do të jenë në një vend, ata që prodhojnë verë e raki në një vend tjetër, ata që merren me agroturizëm do të kenë një zonë të tyre e kështu me radhë. Risi tjetër e këtij viti është natyrisht edhe numri më i madh i pjesëmarrësve që në presim të kemi, shto këtu edhe bizneset nga vendet e rajonit, të cilat janë një urë lidhëse shumë e mirë për të zgjeruar tregjet apo shkëmbyer përvojat respektive. Pse duhet vizituar “Shqipëria punon tokën” është konceptuar edhe si një event i madh me shumë mini-evente të tjera përgjatë dy ditëve, ku nuk do të mungojë argëtimi, festa apo edhe diskutimi për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë e agrobiznesit. Janë menduar disa evente të ndryshme. Në shesh do të ketë një kënd të veçantë, le të themi një agorë për të mirëpritur këto evente. Do të ketë work shop për sigurinë ushqimore; për çertifikimin Global GAP; për programin IPARD etj; për preparatet e mbrojtjes së bimëve etj. Për të apasionuarit pas kafshëve do të ketë brenda panairit një fermë të veçantë, ku secili mund të shikojë dhe të prekë kafshë të ndryshme. Kjo sidomos është me interes të madh për fëmijët. Po kështu do të ketë cooking show nga mjeshtrat tanë të kuzhinës dhe një koncert festiv mbrëmjen e së shtunës me kuartetin “Peter Pan”, ku nën ritmin e muzikës mund të shijoni birra apo verë të mirë nga prodhuesit tanë. Po kështu qytetarët do të kenë mundësi të blejnë vetë produkte direkt nga fermerët, me një çmim më të ulët se zakonisht. Sheshi “Skënderbej” do të marrë një pamje tjetër në datat 16 dhe 17 Nëntor, duke u shndërruar në arenën më të madhe ekspozuese dhe degustuese të prodhimeve të tokës shqiptare. “Shqipëria punon tokën” është një ngjarje që nuk duhet humbur, prandaj ju ftojmë të jeni në shesh këtë fundjavë.