Transmetuar më 15-11-2019, 14:29

Duke i pretenduar se punonte si juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte tek trupa gjykuese për të nxjerrë nga burgu një person të dënuar tashmë me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese, një 33 vjeçare është arrestuar nga Policia e Shtetit sot, pas një viti hetimesh ku u provua se ajo i ka zhvatur 50 mijë euro një qytetari.

Por, kjo nuk është hera e parë që Amerilda Leka mashtron njerëzit. Në vitin 2015 ajo është arrestuar sërish për një rrethanë të ngjashme. Amarilda Leka u kishte marrë lekë familjarëve të të burgosurve me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarët e prokurorët për lirimin e tyre.

Në vitin 2015 ajo i mori 25 mijë e 500 euro vëllait të një të arrestuari me premtimin se do të ndikonte tek një gjyqtar për të liruar nga burgu Xhorxh Gjoka të kapur me drogë. Këto para sipas prokurorisë, ajo i shpenzonte për jetë luksi pasi asgjë nuk ndryshonte nga vendimi i gjyqtarëve.

Leka ka qenë sekretare e shtabit elektoral të ministres Milena Harito, ndërsa të dëmtuarve u prezantohej edhe si e fejuara e djalit të një ministri. Prokuroria e ka akuzuar Amarilda Lekën se ka kryer veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që kryejnë funksione publike dhe akuzën e kallëzimit të rremë”.

Hetimi ka nisur në datë 01.10.2015 te Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas dosja është transferuar te Prokuroria e Tiranës. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases Amarilda Leka dhe të babait të saj.

Kallëzimi rezultoi i rremë dhe autorja doli se ka konsumuar veprën penale “kallëzimi i rremë” dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nuk është provuar deri tani që paratë e marra prej Lekës të jenë dhënë për ndonjë zyrtar shtetëror,. Pikërisht pasi ajo nuk mbaronte punë, personat që jepnin paratë i kërkonin ato pas, edhe duke e kërcënuar.

Nga hetimet ka dalë se në datë 30.09.2015, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë kallëzim shtetasja Amarilda Leka, e cila ka studiuar për Drejtësi, në lidhje me kërcënime që i janë bërë nga një shtetas i quajtur Z.Gj., me qëllim marrjen e një shume prej 24.500 eurosh.

Marrja e 24.500 eurove

Rezulton se Leka ka njohje me një shtetase, të identifikuar me emrin “S”, e cila ushtron aktivitet privat si estetiste, në një pallat të ndodhur në rrugën “X”. Fillimisht shtetasja “S” ka ushtruar të njëjtin aktivitet në një ambient të ndodhur në afërsi të restorant “Z”.

Prej pesë vitesh kallëzuesja Amarilda ka qenë kliente e rregullt e shtetases “S”. Në këto kushte të dyja shtetaset kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë me njëra-tjetrën. Rreth fillimit të muajit gusht 2015, shtetasja “S”, për shkak të arsimit juridik të kallëzueses, i ka prezantuar kësaj të fundit një rast të një të afërmi të saj, i arrestuar për veprimtari të paligjshme me lëndë narkotike, të quajtur XH.Gj.

Shtetasja “S” i ka kërkuar kallëzues që të takonte me të afërmit e të arrestuarit për të biseduar mbi çështjen. Ditët e para të gushtit 2015, kur shtetasja Amarilda ndodhej në qendrën estetike të shtetases “S”, kjo e fundit i ka kërkuar që të takojë me të afërmit e saj.

Pasi “S” ka komunikuar në telefon për të organizuar takimin, kallëzuesja e ka takuar me këto persona, të cilët kanë qenë vëllai dhe motra e të arrestuarit. Takimi është zhvilluar në një lokal të ndodhur në rrugën “X”.

Në takim shtetasit “Z” dhe “J” i kanë treguar kallëzueses rrethana mbi çështjen e vëllait të tyre dhe i kanë kërkuar që t’i ndihmojë. Ajo u është shprehur se do ta shihte mundësinë për t’i ndihmuar. Sipas shtetases Amarilda, “S” i ka thënë asaj (kallëzueses) se kishte kliente një gjyqtare dhe do ta bisedonte çështjen me të.

Por, për shkak të lidhjeve fisnore që “S” kishte me shtetasit Z.Gj. dhe të afërmit e tij, ajo i ka kërkuar kallëzueses që të prezantohej kjo e fundit sikur ishte personi i cili kishte njohje me gjyqtaren dhe që do të vepronte për të mundësuar ndihmën e kërkuar.

Në të vërtetë, sipas kallëzimit, shtetasja Amarilda nuk kishte njohje me gjyqtaren, nuk kishte dijeni për personin për te cilin bëhej fjalë, por kishte mësuar nga shtetasja “S” se njëra prej klientëve të saj ishte me funksion gjyqtare.

Amarilda ka pranuar dhe në vijim në takimet me familjarët e të arrestuarit është prezantuar si person që njihte gjyqtaren dhe do të mundësonte ndihmën për personin e arrestuar.

Sipas kallëzimit, në bisedat me “S”, kjo e fundit i ka thënë kallëzueses se kishte biseduar me gjyqtaren dhe se për t’i ofruar ndihmën e kërkuar duhet t’i paguanin shumën 24.500 euro. Kallëzuesja u ka thënë familjarëve të të arrestuarit për këtë shumë, të cilët kanë pranuar.

Shtetasja Amarilda ka vazhduar në kallëzimin e bërë duke u shprehur se në datën 10 ose 11 gusht 2015, shtetasit “Z” dhe “J” i kanë dorëzuar në një zarf shumën 24.500 euro. Dorëzimi është bërë në një barkafe, përballë ambienteve të shoqërisë “A”.

Sipas kallëzimit, Amarilda shumën ia ka dorëzuar “S”. Nga bisedat në vijim shtetasja “S” i ka thënë kallëzueses se ia kishte dhënë paratë gjyqtares. Familjarët e të arrestuarit kanë pritur për një periudhë rreth 3 javë.

Më pas shtetasi Z.Gj. ka filluar të kërcënojë kallëzuesen me shprehje “Do të vras” dhe ka përdorur shprehje ofenduese të ndryshme. Kërcënime të tilla kryheshin një ose dy herë në ditë.

Pas këtyre rrethanave, kallëzuesja ka biseduar disa herë me “S”. Kjo e fundit i ka thënë se kishte biseduar me klienten e saj gjyqtare, ku i kishte kërkuar që t’i kthente paratë. Sipas “S”, gjyqtarja i është përgjigjur se do t’ia kthente paratë për disa ditë. “S” i ka treguar shtetases Amarilda se gjyqtarja që ishte kliente e saj ishte pikërisht personi që kishte marrë shumën 24.500 euro.

Rastet e tjera/ Nga këqyrja e telefonit të shtetases Amarilda Leka, në rubrikën e mesazheve janë konstatuar mesazhe të dobishme për hetimin. Konkretisht, përdoruesi i numrit të telefonit 06xxxxxx ka dërguar mesazhe, në të cilat shpreh fjalë kërcënuese, për shkak të një shume prej 8000 eurosh që shtetasja Amarilda duhej t’i kthente.

Në përgjigje shtetasja Amarilda është shprehur se ka shkuar te një njeriu i saj për të marrë paratë dhe për të “mbyllur këtë punë”. Bashkëbiseduesi vijon me mesazh, ku ndër të tjera shprehet “S’kam taksirat që të më bësh ti gol 8 mijë euro”. Gjatë shpjegimit si person nën hetim, shtetasja Amarilda ka pranuar që dhe në një rast të tretë ka marrë një shumë prej 18.000 eurosh për të ndërhyrë në lidhje me një çështje penale me të arrestuar shtetasin A.K., që sipas kallëzueses zhvillohet në Gjykatë të Lartë.

Këtë shumë ia ka dhënë të njëjtës sekretare të Gjykatës së Lartë, të quajtur “X”, e cila ia ka dhënë gjyqtarit të çështjes.

“Nuk dha ryshfet”

Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit, Amarilda Leka ka pohuar se i ka dorëzuar shumat e parave që do të shërbenin si “ryshfet” për gjyqtarët te një sekretare e Gjykatës për Krimet e Rënda, si edhe te një sekretare në Gjykatën e Lartë.

Gjykata në arsyetimin e vendimit ka vlerësuar se nuk provohet që këto shuma parash të jenë dhënë nga ana e saj. “Për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të thënieve, deklarimet e shtetases Amarilda lidhur me dhënien e parave te persona të ndryshëm janë të pabesueshme.

Për më shumë që këto thënie bien në kundërshtim me gjithë provat e tjera të administruara. Bazuar në këto të dhëna krijohet bindje e bazuar në prova se shtetasja Amarilda Leka ka konsumuar veprat penale të “kallëzimit të rremë” dhe “ushtrim i ndikimit të jashtëligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhej në vendim./b.l/noa.al/

Mori 50 mijë euro për të liruar të dënuarin për vrasje, “Bënça” arreston juristen e rremë/ Emri