Transmetuar më 17-11-2019, 16:51

Qeveria ka vendosur që të japë në fund të vitit një shpërblim për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike, por ende nuk ka përcaktuar shumën e bonusit.

Burime nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëjnë me dije se është duke u punuar për një tjetër ndryshim të buxhetit të këtij viti përmes një akti normativ, ku do të ndryshohet tavani i të ardhurave në buxhet, për shkak të pritshmërive më të ulëta që ka pasur mbledhja e TVSH-së dhe disa fonde të cilat nuk kanë pasur performancë të mirë do të shkurtohen.

Në këto ndryshime, ekspertët në Ministrinë e Financave janë duke punuar për të gjetur mundësinë të alokimit të një fondi për shpërblim në fund të vitit të pensionistëve, personave me aftësi të kufizuar dhe familjeve me ndihmë ekonomike, ndërsa presin që të kenë në dorë edhe treguesit e mbledhjes së të ardhurave të muajit Nëntor.

Nëntori dhe Dhjetori janë dy muajt të cilët do të përcaktojnë shumën që do të jepen si bonus për këto shtresa. Paraprakisht varianti më i mundshëm që po diskutohet për shpërblimet, është ai i dhënies së 3 mijë lekëve për pensionistët kryefamiljarë dhe 2 mijë lekëve për jo kryefamiljarët.

Ishte Komisioni i Ekonomisë dhe Financave që i kërkoi ministrisë dhënien e bonusit në fund të vitit, nisur dhe nga një traditë e qeverisë në 5 vitet e fundit.

Një vit më parë shpërblimi për pensionistët ishte 5 mijë lekë dhe kapi një faturë në buxhet prej 30 milionë dollarësh. /tvklan/