Transmetuar më 20-11-2019, 17:26

Në Tiranë u përurua sot, e para qendër sociale për nënat e reja. MamiCare është një hapësirë ku prindërit e ardhshëm dhe ata të rinj kanë mundësi të zhvillojnë aftësitë prindërore, në sajë të aktiviteteve formuese dhe argëtuese të posaçme.

Këtë sipërmarrje sociale të sapokrijuar e menaxhon Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës, një organizatë që mbështet maternitetet në mbarë vendin tonë, për t’u siguruar kushte të mira jetese fëmijëve të sapolindur dhe nënave në vështirësi ekonomike.

Aty nënat dhe baballarët e rinj do të marrin informacione rreth zhvillimit foshnjor dhe kujdesit që tregohet pas lindjes.

Specialistët e fushës do të ofrojnë kurse prenatale, ushtrime fizike dhe do të krijojnë grupe suporti për gratë shtatzëna. Mjedisi komod pranë Unazës së Re është i përshtatshëm edhe për argëtimin e fëmijëve të vegjël.

Qendra MamiCare do t’u gjendet pranë veçanërisht nënave në situatë të vështirë ekonomike, me kurse pa pagesë gjatë shtatzënisë dhe natyrisht pas lindjes. Nëna, pse jo edhe babai, tashmë ka një pikë referimi për çdo hap që e pret gjatë periudhës emocionuese të shtatzanisë dhe viteve të parë të jetës së vogëlushëve.

Për t’u informuar më tej për programet e qendrës, ndiqni faqen në Facebook duke klikuar këtu.