Transmetuar më 23-11-2019, 16:33

Krahas vendit të tij, Aleksandër Vuçiç do përfaqësojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimet që do ketë me Presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë Presidenti i Serbisë, në një intervistë për median gjermane “Der Spiegel”.

“Unë kam qenë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Ohrit dhe ne ramë dakord për pothuajse çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macron në emër të të gjithëve, siç bëra javën e kaluar”, tha ai.

Në këtë intervistë, Aleksandër Vuçiç u ndal në shumë tema të tjera, ndërsa projektin për “Minishengenin Ballkanik” e cilësoi si projektin më të mirë të tre dekadave të fundit.

Duke cituar parashikimet e Bankës Botërore, Aleksandër Vuçiç tha se vendet e rajonit me këtë projekt të lëvizjes së lirë do kursejnë plot 3,5 miliardë euro. /k.k/noa.al/