Transmetuar më 23-11-2019, 20:09

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, thotë se heqja e taksës është gabim kur Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës.

Sipas tij, një veprim i tillë do të ishte në dëm të prodhuesve vendas, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.

Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.

Lëvizja Vetëvendosje si partia më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partia e dytë, aktualisht janë duke zhvilluar takime për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Për këto takime, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se janë normale, por thotë se shihet se ka disa vështirësi në arritjen e marrëveshjes mes këtyre dy partive.