Transmetuar më 24-11-2019, 19:06

Erion Veliaj në fushatat e tij që kur mori drejtimin  Bashkisë së Tiranës, është parë të mbjellë vazhdimisht pemë në kryeqytet, madje në shumë raste ai ka dalë edhe vetë më lopatë në dorë.

Por deri më tani, nuk dihet sa është në total numri i pemëve që janë mbjellë gjatë qeverisjes së tij të kryeqytetit, si dhe a kanë pasur ato kosto më të lartë nga ç’duhet të kenë? Po ashtu, nuk ka një studim që të tregojë sesa e gjelbëruar dhe sa e betonizuar është sot Tirana?

Sa për vendet e tjera, dihet që urbanizimi nuk ecën kuturu, dhe gjelbërimi mbetet prioritet kudo.

Ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, i dorëzoi të dielën Presidentit Recep Tayyip Erdogan dokumentin e regjistrimit të rekordit botëror të “mbjelljes së më shumë fidanëve për 1 orë”.

Sipas TRT në gjuhën shqipe, më 11 nëntor, e shpallur nga Presidenca si “Dita Kombëtare e Pyllëzimit”, në Turqi u mbollën për 3 orë nga rreth 1 milion qytetarë mbi 11 milionë fidanë në 2 mijë e 23 pika të 81 rretheve të vendit.

Kurse në Çorum, e cila ishte edhe një prej këtyre 2 mijë e 23 pikave, mbjellja e fidanëve arriti nivele rekord me pjesëmarrjen e 3 mijë qytetarëve. Rekordi botëror i “mbjelljes së më shumë fidanëve për 1 orë”, i cili mbahej nga Indonezia me 232 mijë e 647 fidanë, i kaloi Turqisë me 303 mijë e 150 fidanët e mbjellë në Çorum.

Zyrtarët e Librit “Guinness” ia dhanë dokumentin e regjistrimit të rekordit botëror ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, i cili më pas ia dorëzoi atë Presidentit Recep Tayyip Erdogan./NOA.al