Transmetuar më 07-12-2019, 11:00
Ilir Meta, Tedi Blushi

“Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë!” Kështu thotë zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, lidhur me masakrën e Reçakut.

Ai deklaron se ish-zëdhënësat e xhelatit Sllobodan Millosheviç dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës.

“Krimi mbetet krim! As harrohet, as vjetërohet! Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme! Mirënjohje përjetë ambasadorit Walker për zbulimin dhe denoncimin para gjithë botës së Masakrës së Reçakut! Lavdi të përjetshme martirëve të Kosovës!”, shkruan Blushi.

Ky qëndrim vjen në një linjë me institucionet e Kosovës të cilat dënuan deklaratat e liderëve serbë që po e mohojnë Masakrën e Reçakut.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ftoi institucionet ndërkombëtare që të ushtrojnë presion për ndaljen e deklaratave të tilla që po shpërndajnë urrejtje. /a.y/noa.al/