Transmetuar më 08-12-2019, 13:20

Pas takimit me presidentin e Turqisë Edogran, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje popullit turk për ndihmë. Rama tha se Allahu do më shumë ata që janë të dobishëm dhe se Turqia provoi se i përmbahet urtësisë së saj pas nuk braktisi një vëlla në nevojë.

“Jam këtu para jush dhe po bëj thirrje për ndihmë. Njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që janë të dobishëm për të tjerët dhe kushdo ndihmon një njeri në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë nga vështirësia në ditën e ringjalljes. Më lini të jem i qartë miqtë e mi, unë nuk ofroj ringjallje por po kërkoj dritën në zemrat tuaja.

Më lini t’ju kërkoj falje nëse përsëris veten por për të thënë të vërtetën mes errësirës kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve të saj. Mes dhimbjes së papërshkruar për jetët e humbura dhe shkatërrimin që ka qenë pothuajse apokaliptik në disa zona. Turqia e provoi edhe  njëherë që i përmbahet urtësisë së saj sepse nuk braktisi një mik e një vëlla në nevojë. Siç thotë edhe thënia e vjetër të ecësh me një mik në errësirë është më mirë se të ecësh i vetëm në errësirë.”

Duke theksuar faktin se të gjithë janë solidarizuar me Shqipërinë në këto momente dramatike, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se i gjithë ky solidaritet është larg së qeni mjaftueshëm për atë që ka nevojë vendi për të kapërcyer tragjedinë.

“Të gjithë janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti. Të moshuarit kanë ofruar strehë, nënat kanë liruar shtretërit për fëmijët. I gjithë ky solidaritet është larg së qeni mjaftueshëm për atë që ka nevojë vendi për të kapërcyer tragjedinë. Presidenti premtoi për të ndërtuar menjëherë 500 banesa, në tokën e plagosur të Shqipërisë, ndërsa unë kam ardhur këtu t’iu kërkoi të gjithëve të bashkoheni në këtë rrugëtim të dhimbshëm.

Dëshiroj që katastrofa që po përballemi të kthehet në frymëzim, dhimbja të kthehet në forcë dhe shkatërrimi të shndërrohet në një peizazh të bukur në të ardhmen. Tërmeti shkatërrimtar, më i madhi, na ka sfiduar në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër të historisë moderne. Ka përkulur dy qytetet më të rëndësishme, Tiranën dhe Durrësin. Xhamia madhështore në Durrës rrethohet nga rrënojat.

Të dhënat tona janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave të shkatërruara janë të ndërtuara dobët nga periudha komuniste, apo kur nuk kishte plan ndërtimi. Megjithatë, shumica e tyre janë struktura shumëkatëshe, që mbajnë me dhjetëra familje”, tha Rama.