Transmetuar më 08-12-2019, 16:37

Kryeministri Edi Rama, pas takimit të sotëm me donatorë të lindjes, i është rikthyer çështjeve të brendshme politike.

Rama u shpreh se  platforma me pesë pika e PD-së, për bizneset e dëmtuar nga tërmeti në Durrës, përkon edhe me platformën e qeverisë.

Me një postim në Twitter, Rama i është drejtuar edhe njëherë kreut të opozitës, ndërsa shkruan se refuzimi i tryezës së përbashkët nga Basha “është një gabim i madh”.

Rama i shkruan Bashës se opozita nuk duhet që të refuzojë tryezën e përbashkët për të folur për fatkeqësinë, pasi një veprim i tillë do të ishte gabim i madh.

“Një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit & Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.

Nga gjuha e shprehur duket se janë ulur tonet mes palëve politike.

Rama, pas tërmetit, i është drejtuar edhe më parë liderit opozitar Lulzim Basha për të bashkëpunuar me qëllim kapërcimin e kësaj fatkeqësie, ndërsa duhet thënë se lideri demokrat që në ditën e parë deklaroi se nuk ka ndërmend që të bëj politikë, duke hequr dorë edhe nga kritikat ndaj qeverisë, për të qenë më pranë njerëzve në nevojë./NOA.al