Transmetuar më 09-12-2019, 09:58

Në 3 dhjetor, kryedemokrati Lulzim Basha, shprehu shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë të dhjetra familjeve në Manzë, që jetojnë më çadra të papërshtashme, në një situatë të rëndë humanitare.

Basha u kthye në të njëjtin vend gjashtë ditë më vonë dhe konstatoi se, asgjë nuk ka ndryshuar për shumicën dërrmuese të familjeve, të cilat ndihen dhe të diskriminuara.

"Ne nuk na jepet asnjë zgjidhje. Na thanë se do t’ju evakuojmë, por asgjë", – thotë një banor, duke i shpjeguar kreut të opozitës sesi bëhet seleksionimi i padrejtë.  "Kemi ngelur ne që jemi me qera", – thotë një tjetër qytetar, i cili prej dy javësh po jeton në kushte johumane, bashkë me familjen. Një nënë tregon me lot në sy se i ka humbur shpresat pas kalimit të dy javëve dhe lënies në mëshirë të fatit.

"Asnjë dallimi nuk duhet bërë. Tërmeti njësoj i ka goditur edhe pronarët edhe qiraxhinjtë. Ja ku janë shkollat, të futen aty, nuk mund të vazhdojnë rë rrinë në çadra", u shpreh Basha, duke kërkuar zgjidhje urgjente.

Banorët nuk e fshehin revoltën e tyre, kur treguan se si Edi Rama jo vetëm nuk mori mundim ti takojë gjatë vizitës së të premtes, por mashtroi publikisht, kur tha se problemi i banorëve ne çadra ishte zgjidhur.

Kreu i opozitës pretendon se tentoi të komunikojë me Shtabin e Emergjencës, i vendosur në shkollën e Manzës, por dera ishte e mbyllur dhe këto familje kaluan edhe një ditë tjetër të vështirë në çadra, që nuk plotësojnë kushtet më minimale.