Transmetuar më 09-12-2019, 14:41

“Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Durrësit dhe zonave të tjera. Mijëra vende pune, biznesi i vogël dhe ekonomia prodhuese janë nën presion. Njësitë e hoteleri-turizmit përballen me rënie konsumi dhe i tremben reduktimit apo anulimit të prenotimeve”.

Kështu shkruan kryedemokrati Lulzim Basha i cili vjen me një paketë me pesë pika për rimëkëmbjen e biznesit.

Ai shton se për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik” me pasoja të rënda sociale që do të vinin nga reduktimi i numrit të të punësuarve, ulja e pagave të punonjësve dhe mbyllja e bizneseve, për të mundësuar një rigjenerim të ekonomisë prodhuese, shërbimeve dhe biznesit të vogël në zonat e dëmtuara, propozojmë këtë paketë të thjeshtë dhe realiste.

Pesë pikat e propozuara nga kryetari i PD për të gjitha subjektet ekonomike në zonat e prekura nga tërmeti:

-Anulimi i taksës së pasurisë dhe të gjitha taksat dhe tarifat vendore për periudhën e rindërtimit.

-Përjashtimi i taksës së të ardhurave për të gjitha subjektet që riinvestojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

-Pezullimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e kërkesave.

-Përjashtimi i TVSH-së në të gjitha materialet, lëndët e para dhe aktivet kapitalë të përdorura për rikuperimin e dëmeve.

-Pezullimi dhe anulimi i pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së katastrofës natyrore. /a.y/noa.al