Transmetuar më 09-12-2019, 16:46

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, ku edhe dha detaje mbi ecurinë epunës së deritanishme për dëmet, që janë faktuar në terren, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama ngriti shqetësimin, që u përkrah nga Elvis Naçi, se për të përballuar situatën duhet që më kryesorja të shmangen padrejtësitë.

"Ne shqiptarët e kemi të pak të vështirë të shmangim vajzën e e tezes, djalin e xhaxhait, apo të tjera si këto, duke i çuar fondet në drejtim të gabuar," tha Elvis Naçi, i cili shprehu gatishmërinë që të punohet me qëllim që gjithçla të shkojë në drejtimin e duhur.

Kryeministri e falendëroi për ndërhyrjen, duke thënë se kjo dukuri kërkon mbështetjen e të gjithëve.

"Disa shkojnë për ngushëllim, disa shkojnë edhe për të ngrënë ndonjë qofte", tha Rama.

Rama bëri një bilanc paraprak të banesave të dëmtuara, duke shtuar se aktualisht mesatarja e inxhinierëve që verifikojnë dëmet në terren arrin në 500 vetë.

"Janë sot në  terren 500 inxhinierë, shifër e rrumbullakosur, sepse numri varion, shtohen dhe ulen sipas disponimit, por janë edhe 81 ekspertë nga 11 vende të huaja”- konfirmoi kryeministri Rama.

"Sot isha me ekspertët e ardhur nga Izraeli, të cilët kanë një aparat të teknologjisë dhe verifikojnë qëndrueshmërinë strukturore të objektit. Një pjesë e pallateve janë me dëme të rënda, por të rikuperueshme”- theksoi Rama.

Kreu i qeverisë bëri edhe bilancin e llogaritjeve të dëmeve, deri tani.

“Më pas vijmë tek objektet, siç jemi 261 pallate të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshëm në momentin aktual 2237 banesa të pabanueshme. 851 pallate me dëmtime  të mesme apo të lehta. Te pallatet e dëmtuara rëndë , po bëhet një punë specifike për të përcaktuar shkallën e rrezikut".

Më tej, shefi i qeverisë dha një përgjigje të qartë edhe për sigurinë e shkollave, më konkretisht atë të “Emin Duraku”:

"Ka një pjesë të shkollës që është krejtësisht e përdorshme dhe për një objekt që është i kohës së mëparshme, është dhënë urdhër që mos të përdoret. Të tjerat janë spekulime", – theksoi Rama.

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u ndal te buxheti dhe fodent që duhen për të përballuar situatën, pas tërmetit.

Lidhur me strehimin, për dy qarqet më të mëdha, Durrësin dhe Tiranën, kryeministri u shpreh se për shkak të mungesës së banesave në qytetin bregdetar po shihet mundësia e strehimit në Tiranë.

“Po punojmë për një zgjidhje jo aq optimale, jashtë Durrësit dhe shikojmë mundësinë e akomodimit në periferinë perëndimore të Tiranës. Nuk ka apartamente”, tha Rama.

Sa i takon familjeve të prekura në Tiranë të gjitha janë drejt akomodimit në apartamente me qera.

“Nga 1120 familje të prekura në Tiranë mbi 900 janë të akomoduara, ndërsa pjesa tjetër janë në akomodim e sipër."

Ndërkohë Rama tha se është momenti për të nisur me riparime për banesa individuale ndërkohë "që bëjmë plane për ndërtesa të mëdha".

Javën tjetër do të prezantohet aplikacioni në lidhje me transparencën e fondeve.

Ndërtuesve Rama u bëri të qartë se duhet të paguajnë 3 për qind taksa për çështje sociale, para se të mbarojë pallati dhe jo pas përfundimit të tij./NOA.al