Transmetuar më 10-12-2019, 06:40

Pas meje… Të zbatohet ligji!!! Dy ditë para largimit nga detyra si kryeprokurore, Arta Marku ka firmosur udhëzimin e fundit për pavarësinë e prokurorëve nga ndërhyrja e politikës në mbylljen e dosjeve, raportin e tyre me drejtuesin e organit të akuzës si dhe mënyrën e informimit për dosjet.

Ylli Dylgjeri

Më në fund Arta e bëri "vezën e kuqe" duke e lënë atë mbi tavolinën e Prokurorit të Ri. Udhëzimi është i firmosur nga Ajo në datën 4 dhjetor 2019, ndërsa me dt.6 dhjetor i ka dorëzuar detyrën Kryeprokurorit të sapo zgjedhur Olsian Çela.

U deshën të kalonin mbi 2 vite në detyrë që Prokurorja Marku të nxirrte këtë Udhëzim për mosndërhyrje!!!

Përmes këtij udhëzimi, prokurorët urdhërohen që të refuzojnë çdo ndërhyrje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës si dhe të arrestojnë në flagrancë personin që ndërhyn, duke përfshirë këtu deputetë, përfaqësues të qeverisë, medias apo të çdo personi tjetër.

Ja ç’thotë ndër të tjera Udhëzimi:

“Prokurori në çdo rast që evidenton ndërhyrje ose ushtrim i ndikimit të paligjshëm, të papërshtatshëm apo në kundërshtim me ligjin ndaj tij, nga brënda sistemit të prokurorisë, apo nga përfaqësues të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, medias apo të çdo personi tjetër juridik a fizik apo subjekt i procedimit penal, menjëherë refuzon çdo ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të paligjshëm, merr çdo masë për të qenë dhe të duket jashtë çdo ndikimi dhe ushtron funksionet në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit…, vazhdon Udhëzimi.

Me fjalë të tjera, deri më sot, këto ndërhyrje kanë qënë normale paçka se qytetarët, media, opozita, ndërkombëtaret, skanë rreshtur së kërkuari drejtësi dhe pavarësi në gjykim e akuzë.

Me këtë Udhëzim (pas pilafit), ish Prokurorja i merr mbi vete të gjitha "fenomenet joligjore" që kanë ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës së përkohshme nga ajo vetë.