Transmetuar më 10-12-2019, 15:21

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndodhet në një vizitë zyrtare në Berlin, ku zhvilloi një takim me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

Takimi u përqëndrua në diskutime të hollësishme për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, vitin e ardhshëm.

Në një reagim në Facebook, Cakaj bëri të ditur se: “Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen!”

Gjithashtu, homologët ndanë qendrime të njëjta lidhur me vazhdimin e reformave transformuese të Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve të paraqitura nga Bundestagu në funksion të rrugëtimit evropian.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë për përballimin e pasojave të tërmetit. Nga ana tjetër, Maas konfirmoi gatishmërinë e tij të mëtejme për ta ndihmuar Shqipërinë në planin e riparimit dhe rindërtimit./b.l/noa.al/