Transmetuar më 11-12-2019, 17:21

Tirana do të përballet në derbin e ardhshëm me Partizanin pas një situate të vështirë.

Ka ndryshuar 2 trajner në 15 javë dhe kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në mbyllje të vitit presidenti Halili ka vendosur për të mos nxitohet dhe në krye të bardhebluve provizorisht të jetë ish-portieri dhe ndihmësi i disa trajnerëve , Emanuel Egbo.

Ish-portieri bardheblu i cili do të ketë për detyrë të udhëheq skuadrën e Tiranës në këtë derbi me Partizanin shpreh atmosferën dhe ndjesinë e tij në krye të pankinës në këtë situatë.

Trajneri i ri i Tiranës, Emanuel Egbo, pas marrjes së detyrës u shpreh se, "është normale që duhet të sakrifikojmë. Të sakrifikojmë të gjithë si skuadër. Nuk kemi shumë se çfarë të bëjmë, kjo është situata. Duhet të japim maksimumin që të ecim para".

Ish-portieri bardheblu foli edhe për derbin.

"Çdo ndeshje është e vështirë jo vetëm derbi. Por kjo përballje me Partizanin është thjesht ndeshja e radhës. Vijmë nga një situatë e vështirë, por çdo gjë mund të ndodh, futbolli është i tillë, i ka të gjitha rezultatet brenda. Nuk ka rëndësi sa ndeshje ke fituar më parë. është skuadra që e bën një ndeshje të vështirë apo të lehtë", theksoi Egbo.

Egbo është trajneri i tretë i këtij sezoni që merr drejtimin e Tiranës, pas Ardian Memës dhe Julian Ahmatajt.

"Nuk kam shumë se çfarë të ndryshoj nga Mema apo Ahmataj, as unë dhe askush tjetër që mund të vinte. Vetëm 3 ditë kohë kishim për t’u përgatitur", shprehet Egbo./NOA.al