Transmetuar më 11-12-2019, 20:15

Bashkim Alibali mbetet një artist i madh, sepse i përket një brezi të artë artistësh, kohë kur bëhej vërtet art dhe emrin artist atëherë nuk mund ta blije apo të manipoloje publikun.

Pra artist nuk mund të ishte kushdo, i cili kishte dëshirë.

I qeshur si gjithnjë, si  kur këndon, ashtu edhe kur flet, Bashkim Alibali, ia doli të thyente edhe barrierat dhe pengesat e kohës, ndërsa me të drejtë ka kritika për këngëtarët e ditëve të sotme.

Në festivalin e 11 të këngës, ku performoi këngën e tij të 47 viteve më parë, Bashkim Alibali duke rrëfyer në “Rreze Dielli”, foli për emocionet që përjetoi mbrëmjen e 10 dhjetorit 2019, në Bunk’art1 dhe prapaskenat e Festivalit më të bujshëm të këngës.

Përjetimet e vitit 1972 ai i kujton si një moment, i cili edhe pse kishte si synim ‘syrgjynimin’ e artit, e forcuan atë, duke e risjellë pas 6 vitesh në skenë, edhe më të fortë.

Kur bën krahasimin e artistëve të asaj periudhe me artistët që ofron sot tregu muzikor shqiptar, Bashkim Alibali shpreh rezerva. Ai thotë se më parë vlerësohej talenti, kurse sot bëjën art ata që  kanë para.

Dhe ai bën dallimin e madh, ku veç të tjerash thotë se në vitet e demokracisë, në tranzicionin e zgjatur, në vend që artisti të shprehej më lirshëm e të ngjitej në nivele më të larta, ka ndodhur e kundërta. Artisti "i vërtetë" duket si të jetë vrarë tani, për t’i lënë rrugë një gjullurdie ku nuk merret vesh se çfarë vlerash përfaqëson, apo çfarë mesazhi përcjell te publiku.

Ai shpesh shqetësimin se vendi ynë nuk po prodhon më artistë si dikur, sepse "këngëtar", "poet", shkrimtar", mund të bëhesh me para, duke lënë menjëanë talentin.

“Sot incizon kush ka para, bën videoklip kush ka para, boton romane e libra nga ata që kanë para".

"Në atë kohë është vlerësuar shumë talenti, ka patur shumë talente që kanë dalë në dritë, nuk futeshin njerëz të patalentuar".

"Në atë kohë ka ecur talenti, jo paraja. Pavarësisht se sot teknika është më e avancuar. Njerëzit e mëdhenj të asaj kohe kanë zgjedhur elementet më të mirë, jo vetëm në muzikën e lehtë, por në çdo fushë të artit. Tani ka një farë egoizmi. Njeriu duhet të ketë egoizëm për veten e tij, jo për të tjerët. Nuk ka shoqëri të sinqertë mes artistëve, siç kishte dikur”, thekson bashkim Alibali.

Ai jep një mesazh të fortë për artistët e rinj, duke i nxitur ata të rikthejnë vlerat e artit, të këndojnë shqip, t’ju besojnë teksteve që janë shkuar nga njerëz të talentuar dhe japin mesazh edukues,  dhe jo të këndojnë me fjalë që nuk i kupton askush./NOA.al