Transmetuar më 13-12-2019, 22:10

Qytetarët që duan të dhurojnë banesën apo prona të paluajtshme tek fëmijët e tyre apo bashkëshortët tek njëri-tjetri, nga viti i ardhshëm nuk do të paguajnë më tatimfitimin, si deri tani.

Ky tatim aktualisht aplikohet në masën 15 për qind, si në rastin e shit-blerjes, dhe kalimin të pronësisë nga një familjar tek një tjetër, në kushtet normale të pronave.

Amendamendi është bërë nga deputetja socialiste Evis Kushi, dhe është miratuar në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa përjashtohen objektet që përdoren për qëllime biznesi.

“Propozojmë që të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat në nivelin e 15% kalimi i pronësisë nga prindi tek fëmija dhe nga burri tek gruaja. Këtu përfshihen vetëm rastet e truallit dhe banesës dhe jo biznese” tha Kushi.

Deputetja Evis Kushi ka shpjeguar edhe arsyen se përse është marrë një vendim i tillë.

“Ky propozim vjen si pasojë e shumë konflikteve sociale që kanë dalë në pah deri më tani. Një shembull, në rast se një banesës kushton 50 milionë lekë qytetari paguan 7.5 milionë lekë tatim mbi të ardhurat. Por nga ky zë të ardhurat në buxhet janë zero” deklaroi deputetja e PS-së.

Komisioni ka miratuar edhe heqjen e TVSH-së për lëndët e para të importit që do të përdoren për projektin e rindërtimit, lehtësi e cila do të aplikohet vetëm për ata subjekte që do të jenë pjesë e këtij programi.

Gjithashtu sot u miratua edhe ulja e TVSH-së në 6 për qind për autobusët elektrikë për vitin 2021,  ndërkohë që ky tatim ishte parashikuar në 10 për qind më parë.

Pas miratimit të amendamenteve në Komisionin e Ekonomisë, pritet që Kuvendi të japë miratimin për secilën prej tyre./NOA.al