Transmetuar më 17-12-2019, 18:57

Përse të mos eksperimentojmë një variant krejtësisht turk, për festa? Nuk është shumë e shëndetshme, por njëherë në vit ia vlen të sakrifikoni për t’i bërë qejfin vetes.

Përbërësit: 1 pako me petë për bakllava afërsisht 500g, në temperaturë ambienti (mjaftojnë 13/15 petë), 300g arra të qëruara dhe të ndara në thërrime të mëdha, 200g gjalpë i tretur

Për kremin: 2 vezë, 280g sheqer, 100g gjalpë i tretur, 300ml pana, 1 bustinë sodë për torta të ëmbla.

Për sherbetin: 400g ujë, 450m sheqer,1 lugë lëng limoni.

Përgatitja:

1.Përgatisim sherbetin duke përzier në një tenxhere sheqerin, ujin dhe lëngun e limonit. E lëmë të ziejë me flakë të mesme për 15 minuta pasi të ketë marrë valë. E lëmë mënjanë të ftohet.

2.Lyejmë tavën me gjalpë. Hapim petën e parë në tavolinë, palosim për 3 cm petën në anën më të shkurtër të saj, vëmë pak arra dhe e palosim petën sipër, vazhdojmë kështu duke e mbushur dhe duke e palosur për gjithë gjatësinë e petës, e vendosim në tavë dhe kështu vazhdojmë dhe me petët e tjera deri sa të mbushet tava. I spërkasim sipër me gjalpë.

Tava do të piqet me dy faza

1.E pjekim në furrën e ngrohur më parë me 180°C për 15 minuta ose derisa të shohim që ka marrë ngjyrë sipër. Gjatë kësaj kohe përgatisim kremin që do t’i hedhim sipër duke përzier me rrahësin e vezëve me dorë: vezët me sheqerin, panën, gjalpin dhe sodën të cilën e shtojmë me sitë.

2.Pasi të kenë kaluar 15 minuta që e kemi vënë tavën në furrë, e nxjerrim nga furra, i hedhim kremin e përgatitur sipër dhe e vëmë të piqet edhe 15/20 minuta të tjera ose derisa të shohim që kremi është mpiksur.

Pasi ta kemi nxjerrë nga furra e lëmë të ftohet për 10 minuta dhe më pas i hedhim sherbetin e ftohtë që kishim lënë mënjanë. E lëmë të thithë sherbetin të paktën për 3-4 orë./b.l/noa.al/