Transmetuar më 19-12-2019, 12:10

Gara për tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit të ri të Vlorës, është hapur sot zyrtarisht.

Në prezantimin e bërë sot ne Kryeministri, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se punimet do të nisin më 31 Maj 2020.

“Që sot tenderi ndërkombëtar është i hapur, dokumentacionet ndodhen online, ku pjesëmarrësit do të gjejnë gjithçka që u duhet", tha Balluku.

Tenderi, sipas ministres, do të jetë i mbyllur më 12 mars 2020.

Ajo u bëri thirrje përfaqësuesve nga trupi diplomatik dhe atasheve që të ndihmojnë, duke e hapur këtë lajm të mirë për gjithë vendet e interesuara.

Sipas saj, për herë të parë nga Shqipëria do te kemi linja transoqeanike që do të aksesojnë SHBA dhe Kandanë, duke krijuar akses direkt te shqiptareve dhe diaspores.

“Edhe duke nxjerre mësim edhe nga kontratat e mëparshme, nga TIA, kemi punuar shumë fort për t’i dhënë shtetit shqiptar një kontratë të mirë për zhvillimin e vendit dhe për atë vepër kombëtare që shteti do të marrë në dorëzim pas 35 vjetësh”- tha ministrja.

Sipas Ballukut, mbi vendimin për të ndërtuar aeroportin e Vlorës, “kemi pasur parasysh udhëtarin shqiptar që për të parë fëmijët në Amerikë duhet të ndërrojnë deri në tre avion”.

Sipas saj, 30 milionë euro do të jetë vlera akumulative që do të sjelle funksionimi i këtij aeroporti./NOA.al