Transmetuar më 22-12-2019, 19:35

Aktorja e njohur Marika Kallamata ka ndërruar jetë në moshën 89-vjecare. Lajmin e hidhur e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shkruajti se pavarësisht roleve të shumta, për popullin shqiptar do të mbetet gjithmonë ‘gjyshja e përrallave’.

"Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh, duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte seç na ishte…!

U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi! Homazhet do të mbahen nesër, në ambientet e "arTurbinës", nga ora 11:00-13:00", shkruajti Margariti.

Marika Kallamata ka interpretuar më shumë se 60 role, ku ndër më të suksesshmit renditen Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana dhe Nekija.

Edhe pse doli në pension, në tetor të vitit 1985, Marika nuk u largua nga skena. /a.m/noa.al/