Transmetuar më 25-12-2019, 00:25

Arilena Ara do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, festival që do të zhvillohet në maj 2020, në Roterdam.

Megjithëse nuk fitoi Elvana Gjata dhe vendi i dytë që siguroi ajo zhgënjeu shumë nga fansat e saj, Arilena nuk është se u prit me ndonjë befasi të madhe nga publiku, për të aluduar se ajo e fitoi festivalin me "mik apo para", siç edhe ka pasur shpesh më herët akuza.

Nga shumë artistë dhe njohës të mirë të muzikës thuhet gjerësisht se për nga mosha dhe vokali, Arilena e meritonte, madje nuk mund të quhet as surprizë që ajo u shpall fituese e këtij festivali.

Por ky festival, përveç rivalitetit të fortë mes dy këngëtareve favorite, do të kujtohet edhe për organizimin dhe mënyrën sesi është votuar, përveç kontestimit.

U lejuan kompozitorë të huaj për herë të parë, sikurse edhe juria pati anëtarë të huaj.

Elvana Gjata mori pëlqimin e anëtarëve të huaj të jurisë. Arilena përmbysi rezultatin në fund falë dy anëtarëve vendas, të cilët i dhanë Alvanës, përkatësisht dy dhe tetë pikë, kundrejt 18 pikëve ose maksimumit që duhet të merrte njëri nga konkurrentët.

Anëtarët e huaj erdhën me pëlqimin e Vera Grabockës, ndërsa vendasit u përcaktuan nga Televizioni Publik Shqiptar.

Regjisorja Vera Grabocka pas festivalit ka heshtur, duke mos thënë asgjë mbi fituesin, apo humbësit, sikurse nuk ka asnjë deklaratë nga Televizioni Publik Shqiptar, mbi akuzat ndaj dy anëtarëve vendas të jurisë.

Gjithsesi, jo vetëm Elvana Gjata dhe mbështetësit e saj i kontestuan ata, por edhe prezantuesja Alketa Vejsiu. Kjo e fundit doli hapur pro fitores së Elvana Gjatës, duke thënë se ajo pati pëlqimin e publikut dhe shprehu habi me "dy pikëshin e jurisë", që përmbysi rezultatin në fund.

Por për njohësit e artit,  edhe nëse një këngë pëlqehet me shumë nga publiku në sallë, dihet se juria profesioniste vendos për fituesin.

Arilena Ara nuk ishte ndonjë befasi, për të mos fituar. Ajo madje është zbuluar si talent dhe ka dalë nga dy spektakle që kanë organizuar Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.

E lindur në Shkodër, Arilena Ara, 21 vjeçe, mori pjesë disa vite më parë në spektaklin "Gjeniu i Vogël" dhe zuri vendin e tretë.

Ajo u konfirmua si këngëtare, në edicionin e zbulimit të talenteve të tre viteve më parë në "X Factor", që organizohet po nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Atëherë përse duhet të dilte Alketa e pakënaqur me fitoren e Arilenën, talent që e ka nxjerrë ajo vetë, por donte Elvana Gjatën fituese, edhe nëse e lidh ndonjë miqësi me të?

Ka pasur shumë debate dhe komente në dy ditët e fundit.

Një ndër to është edhe loja me "dy porta" e Vera Grabockës, teksa nisur nga konkurrentët, i premtoi fillimisht me organizatorët fitoren Elvana Gjatës, siç edhe u bë publike prej muajsh. E vënë në presion, ashtu si edhe Televizioni Publik Shqiptar, që mund të humbiste reputacionin, pasi në edicionin tjetër mund të përballej me moton: "pjesëmarrja ka rëndësi, fituesi është përcaktuar me kohë", pas konsultave me njohës të mirë të muzikës ndër vite, nuk pati dyshime se Arilena ishte zgjidhja e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por më kryesorja, vendimi është marrë për t’i ruajtur nderin dhe reputacionin festivalit.  /NOA.al