Transmetuar më 28-12-2019, 20:53

Tirana do ta përcjellë në sheshin “Skënderbej”, mes tingujve të muzikës, argëtimit, dhe shoqërisë së njëri-tjetrit, edhe një koncert të madh festiv që mbështetet nga Bashkia e Tiranës.

Bashkia e Tiranës, siç e ka kthyer në një traditë pritjen e ndërrimit të viteve në këtë shesh, ka planifikuar një koncert madhështor, i cili starton në orën 23:00 të 31 dhjetorit, me emra të njohur të muzikës shqiptare.

Ndërkohë, një spektakël i vërtetë fishekzjarresh do të realizohet për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit.

Përmes një postimi në rrjetin social “Tëitter”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë me qytetarët disa nga momentet më festive që do t’i shoqërojnë mbrëmjen e 31 dhjetor.

“Siç e kemi bërë traditë tashmë, ndërrimin e viteve e presim te sheshi “Skënderbej”.

Një spektakël i paparë fishekzjarresh për të pritur "Tirana 100 Vjet Kryeqytet" dhe një koncert madhështor na presin më 31 Dhjetor ora 23:00 me Eneda Tarifën, Mariza Ikonomin dhe Elhaida Danin ”, shkroi kryebashkiaku Veliaj, duke zbuluar disa nga surprizat e mbrëmjes.

Duhet theksuar fakti se Eneda Tarifa njihet për përkrahjen e saj ndaj kryebashkiakut Veliaj, madje doli hapur pro tij edhe në fushatë më 30 qershor. Mariza Ikonomi njihet për miqësinë që ka me këngëtaren, që sapo fitoi "Këngën Magjike". Por pavarësisht miqësive që i lidhin dy këngëtaret me kryebashkiakun Veliaj, kjo nuk do të thotë se ato nuk janë emrat e duhur për të kënduar në shesh, ashtu sikurse vjen nga Italia për të festuar në Tiranë edhe Elhaida Dani. /NOA.al