“Mposht” Messin dhe Ronaldon, Robert Lewandowski “mbreti” i golit për 2019
Transmetuar më 31-12-2019, 13:35

Nuk ka të njëjtën vëmendje mediatike si Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi, por është një nga sulmuesit më të mirë të botës. Më saktë, Robert Lewandowski është “mbreti” i golit për 2019-ën.

Polaku i Bayern Munich ka realizuar më shumë se të gjithë në një vit kalendarik, teksa ka prekur rrjetat kundërshtare 54 herë në 58 ndeshje të luajtura. Në vendin e dytë renditet Lionel Messi. Fituesi i “Topit të Artë” ka luajtur në vitin e fundit 58 ndeshje, po aq sa edhe Leëandoëski, por “Pleshti’ i Barcelonës ka shënuar 50 gola.

Treshja e parë e “bomberave” plotësohet me Kylian Mbappe. Talenti francez i Paris SG numëron 44 rrjeta në 49 ndeshje që ka luajtur.

Vetëm në vendin e pestë qëndron Cristiano Ronaldo, që parakalohet edhe nga sulmuesi i Manchester City, Raheem Sterling. Anglezi numëron 43 gola, por ka luajtur më shumë se të gjithë, plot 63 ndeshje. Ylli portugez i Juventusit ka shënuar 39 gola në 50 sfida ku ka luajtur, por gjithsesi askush nuk mund ta arrijë atë nëse llogaritë bëhen për dekadën e fundit.

Që nga viti 2010 me Real Madrid, Portugalinë dhe Juventus, CR7 ka shënuar 145 gola në të gjitha kompeticionet e UEFA-s, pra pa llogaritur ata të realizuar në kampionatet dhe kupat në Spanjë dhe Itali.

Mes dhjetë golashënuesëve më të mirë të vitit bëjnë pjesë edhe sulmues të tjerë “race” si Harry Kane, Kun Aguero, Karim Benzema, Sadio Mane dhe Timo Werner.