Transmetuar më 02-01-2020, 19:58

Çelo Hoxha, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, që ka pasuar në këtë post Agron Tufën vetëm pak javë më parë, ka bërë një status shokues në Facebook, ku edhe sulmon shkrimtarin e madh, Ismail Kadare.

Reagimi i tij për Ismail Kadarenë vjen, pas marrjes së çmimit prestigjioz “Oficer i madh i Legjionit të Nderit”.

Deklarata e Hoxhës, i cili drejton një Institut të financuar nga qeveria dhe miratuar nga parlamenti shqiptar, bie ndesh me vlerësimet që parlamenti dhe qeveria bën për Ismail Kadarenë, me rastin e marrjes së çmimit, por jo vetëm.

Kadare lexohet dhe studiohet në të gjitha ciklet e shkollës, në mbarë trevat shqipfolëse. Është shkrimtari më i madh shqiptar i kohërave moderne, veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës. Ismail Kadare është i vetmi shqiptar, disa herë kandidat për Çmimin Nobel, ndërsa në fushat e tjera, ka vite që lulëzojnë plagjiaturat dhe studime me nivel zero, çka përbën një krim të madh për dijen dhe të ardhmen e kombit tonë.

Por ndodh pikërisht të kritikohet dhe të ngatërrohet me komunizmin i vetmi shkrimtar, me të cilin Shqipëria sot krenohet anembanë botës.

“Titulli i Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” jepet për të identifikuar kriminelë të nivelit ndërkombëtar”, shkruan Çelo Hoxha.

Tingëllon paksa e rëndë, që gjeniu i letrave shqipe ngatërrohet me komunizmin dhe krimet e diktaturës nga shqiptarë, edhe me poste shtetërore, ndërsa bota perëndimore e vlerëson dhe i jep tituj nderi. Kujtojmë se jo vetëm Franca, por Gjermania, SHBA, Anglia, dhe madje kohët e fundit Ismail Kadare mori një çmim prestigjioz në Korenë e Jugut.

Sikur të kishte edhe disa shkrimtarë më shumë shqiptarë, të përmasave botërore, me siguri Shqipëria do të ishte edhe më e vlerësuar, në arenën ndërkombëtare./NOA.al