Transmetuar më 09-01-2020, 17:29

Haxhi Hoti, ish-kandidati për deputet në Kosovë është kthyer në paraburgim për deklaratën që bëri para rreth dy javësh për Albin Kurtin.

Deklarata e tij u konsiderua si kërcënim për vrasje,  prandaj Gjykata e Apelit vendosi sot që Hoti të kthehet në paraburgim për 30 ditë.

Kërkesa e Prokurorisë së Shtetit u aprovua për tu shfuqizuar masa e sigurisë që Gjykata e Prishtinës mori javën që shkoi ndaj Hotit.

Apeli e ka zëvendësuar me 30 ditë paraburgim, duke ia llogaritur si masë arresti që prej datës së arrestimit, konfirmon zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është aprovuar ankesa e prokurorisë, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Njeherësh, të pandehurit që po i referoheni, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, pohoi Jashari.

Anëtari dhe ish-kandidati për deputet i NISMA’s, Haxhi Hoti u arrestua më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës sepse kërcënoi kryetarin e VV-së Albin Kurtin me një deklaratë në Facebook.

“Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, shkroi Hoti në profilin e tij të cilin fshiu më pas me arsyetimin se ka ndodhur gabim teknik./noa.al/