Transmetuar më 10-01-2020, 11:09

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj priti sot në takim ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum.

Në konferencën për mediat pas takimit, Ahmetaj shprehu solidaritetin në momentet e vështira pas tërmetit të 26 nëntorit, në kuadër të nisjes së zbatimi i projektit për ndërtimin e 500 shtëpive të reja me donacion nga Turqia.

“Përveç ndihmës së parë materiale, qeveria e Turqisë do të ndërtojë 500 shtëpi në Laç siç jemi dakortësuar. Patëm rastin të diskutojmë mbi projektin e ndërtimit të shtëpive, duhet të theksoj se shkon përtej ndërtimit të banesave. Merr formën e një poli të ri urbano ekonomik. Është një model i ri zhvillimi në termat urbanistik dhe zhvillimit ekonomik”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, puna për rindërtimin ka filluar dhe se projekti mendohet për 500 banesa për ata që humbën banesat për zonën e Thumanës dhe Laçit, shoqëruar me ambiente komercale dhe shkollën dhe ndërtesën e bashkisë së Thumanës.

Nga ana e tij Kurum tha se 500 çadra janë vendosur në dispozicion të shtetit shqiptar.

“500 banesat nëse i fillojmë në fund të janarit në përshtatje me kulturën tuaj të jetesës, duam që brenda 6 muajve ta përfundojmë këtë projekt dhe t’ua dorëzojmë vëllezërve shqiptarë. Përsa i përket objekteve të tjera të shërbimeve do të bëjmë përpjekje ti plotësojmë kërkesat”, deklaroi ministri turk. /a.y/noa.al