Transmetuar më 10-01-2020, 20:46

Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë vizituar familjen e Dallëndyshe Lurit, e cila u godit nga tërmeti i 26 nëntorit për ti dhënë një lajm të mirë.

Ata thanë se deri në ndërtimin e shtëpisë së re apo meremetimin e shtëpisë së dëmtuar, familja e Dallëndyshes dhe të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë në qytetet e prekura, do të përfitojnë bonusin e qirasë nga bashkia.

Kryeministri Rama deklaroi se do të bëhet një vlerësim i thelluar i të gjitha godinave dhe i pallateve. "Duhet një studim i thelluar inxhinierik. Duhet marrë opinioni i ekspertëve që duhet të shemben apo mund të meremetohen. Vlerësimi paraprak është bërë, janë të gjitha në listë të inventarizuara. Tani do bëhet vlerësimi final, se çfarë do bëhet më këtë pallat. Pra të jemi në rregull jo vetëm nga pikëpamja ligjore, por edhe nga ajo teknike", tha Rama.

Ndërsa Veliaj theksoi se falë bonusit të qirasë, familjet e prekura nga tërmeti do të vazhdojnë jetën normalisht.

"Gruaja shkon në punë, djali në kopësht. Ekosistemi i jetës normale nuk ka lëvizur. Edhe ne kjo gjë na jep një komoditet, që mos i bëjmë me ngut këto ndërtesat e reja. Dhe kemi gjithë kohën e nevojshme për t’i thënë inxhinierëve kryeni këto testet e betonit, të hekurit, që pastaj të marrim një vendim dhe mos t’i bëjmë gjërat me ngut", tha Veliaj.

Përveç kësaj, Veliaj ofroi një punë për djalin e shtëpisë duke i siguruar punësim në flotën e re prej 300 taksish elektrike që do të qarkullojë në kryeqytet./noa.al/