Transmetuar më 14-01-2020, 18:53

Të tjera detaje dalin në dritë nga megaaksioni i policisë, që çoi në shoqërimin e 40 personave pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mësohet se kryesisht të shoqëruarit, me urdhër të prokurorisë së Tiranës, janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë, por dhe ndërtues, të cilët dyshohen të kenë falsifikuar dokumentet duke u akuzuar kështu për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas informacioneve mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunarët e Farkës Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta.

Deri në këto momente janë arrestuar 27 persona, ndërsa vijon aksioni pë kapjen e 13 të tjerëve. Ata akuzohen për ndërhyrje për paligjshme në pallatet e dëmtuara, duke holluar bazamentet mbajtëse të tyre.

Emrat nuk janë bërë të ditura publikisht, pasi aksioni po vijon në këto momente. Fillimisht ishte prokuroria e Durrësit që ngriti akuza ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve pas dëmeve nga tërmeti. Ata akuzohen jo vetëm për falsifikimin e dokumenteve, por ka pasur dhe raste të ndërhyrjeve në strukturë në këto godina.

Rreth një muaj më parë Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë. Nga veprimet e hetimore kishte rezultuar se dëmtimet, shembjet e godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit./b.l/noa.al/