Transmetuar më 15-01-2020, 13:15

Kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj në bashkëpunim me zyrtarë të policisë doli me deklaratë ditën e sotme, lidhur me arrestimin e personave të dyshuar si përgjegjës për dëmet e shkaktuara në ndërtesa nga tërmeti i 26 nëntorit në qarkun e Tiranës.

Ajo bëri me dije se numri i të arrestuarve ka arritur në 31, nga të cilët 29 janë arrestuar të martën dhe dy të tjerë të mërkurën.

Imeraj tha se janë 125 pallate të pabanuar, 25 institucione të dëmtuara në qark dhe 200 objekte private të pabanueshme.

Sipas saj hetimet kanë nisur pas tërmetit, ndërsa tha se është hetuar nëse ndërtuesit dhe nënkontraktorët kanë zbatuar me përpikmëri detajet e projektit dhe për këtë arsye kanë ardhur arrestimet.

"Të ndaluarit akuzohen për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve", "Ndërtim i paligjshëm" dhe "Shpërdorim detyre". Çdo objekt i pabanueshëm do të jetë objekt hetimi, u shpreh Imeraj.

Në konferencë u tha se funksionarët e ish-komunave kanë miratuar leje në kundërshtim me ligjin dhe pa studime sizmike si dhe mungojnë të dhëna teknike.

Prokurori i çështjes Erion Imeraj deklaroi se "U konstatuan veprime fiktive, ka mungesë dokumentacioni. Mungojnë certifikatat e cilësisë së punimeve që kanë të bëjnë me materialet e përdorura gjatë punimeve. Në objektet e vjetra ka punime që kanë cenuar strukturën, çka ka sjellë edhe ndalimin e personave që kanë bërë ndërhyrjen përkatëse, çka ka sjellë në arrestimin e personave në fjalë për shkak të ndërtesave të pabanueshme".

Arrestimet nisën gjatë së martës dhe të arrestuarit janë kryesisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë në Kashar, Farkë dhe Vorë.

Pjesë e listës që janë shoqëruar në polici janë ish-kryekomunarët e Farkës Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta.

U ndaluan edhe arkitektet Stela Maze dhe Anila Harxhi, si dhe Merita Kushi, Bukurije Halili, Ali Dyrmishi, Vjollca Hoxholli, Gerti Çalliku, Zhaneta Tagani, Muhamed Felahi, Ndoc Pepkola, Hekri Disho, Jani Ikonomi, Qirjako Gjergo, Naim Shehi, Ermir Çina, Adhurim Qehajaj, Gëzim Shkalla, Pëllumb Fortuzi, Xhevahir Doda, Reis Muça, Hekri Disha, Agim Eski dhe Faik Fejzo.

Të ndaluarit akuzohen për shpërdorim detyre, për shkak të ndërhyrjeve të paligshme në pallatet e dëmtuara nga tërmeti.

Kjo pasi nga tërmeti 6.4 ballë i fund nëntorit, u dëmtuan shumë pallate e shtëpi krahas Durrësit edhe në Tiranë, çka nxori në pah cilësinë e dobët të punimeve./a.y/noa.al