Transmetuar më 15-01-2020, 18:10

Organi i Akuzës së Krujës kundërshton vendimin e lirimit të Endrit Dokles. Kur kanë kaluar vetëm 24 orë pas vendimit për lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Prokuroria e Krujës ka depozituar apelimin.

Apeli është depozituar në sekretarinë e gjykatës dhe për këtë çështje është njoftuar dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm. Pritet që në vijim prokuroria e përgjithshme të mbajë një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha vendosi dje të pranonte kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite, ndërsa duke qenë se ka kryer 3/4 e kësaj mase është liruar nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli.

Dënimi përjetë ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja, por gjyqtarja e Krujës dje i rrëzoi të gjitha duke e liruar nga qelia. 4 vite u ulën nga amnistia që u njoh nga gjyqtarja Hoxha, ndërsa 5 vitet që mbetën nga 25, u konvertuan në shërbim prove.

Ndër argumentet që kanë çuar në lirimin e Dokles, sipas gjykatës ka qenë sjellja e mirë e tij. Endrit Dokle i njohur si ish pjesëtar i bandës së Durrësit e më pas i kthyer në rivalin e Lulëzim Berishës, qëndronte pas hekurave me dënimin burg përjetë me akuzën e tre vrasjeve./b.l/noa.al/