Transmetuar më 16-01-2020, 12:59

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Supplier”, ka goditur një rast të shpërndarjes së heroinës, duke arrestuar një person.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, e mërkurë, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative, ka finalizuar me sukses operacionin.

Kështu u bë arrestimi i M. Z., 32 vjeç, lindur në Tiranë, i dënuar më parë, si dhe u procedua në gjendje të lirë K. T., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Policia mori informacion për një të ri që merrej me shitjen e lëndës narkotike të llojit heroinë, në zonën e sheshit “Willson”, në rrugët “Grigor Heba” dhe “Margarita Tutulani”.

Sipas informacioneve, i riu mbante një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë, në banesën e tij.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar, 32-vjeçarit i janë gjetur në xhepin e xhupit disa doza me lëndë narkotike, heroinë. Gjatë kontrollit të kryer K. T., i është gjetur në xhepin e xhupit një dozë me lëndë narkotike e llojit heroinë.

Në vijim është kryer kontroll në banesën e M. Z., në rrugën “Gregor Heba”, Tiranë dhe si rezultat janë gjetur dhjetëra doza me heroinë, me peshë totale 44.5 gramë, një peshore elektronike, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shtija e lëndë narkotike, aparate celular që i përdorte për të komunikuar me klientët dhe sende të tjera.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al