Transmetuar më 16-01-2020, 14:06
Lenda narkotike dhe parate e sekuestruara

Një operacion antidrogë i koduar “Livadhi” ka zbuluar 13 kilogramë lëndë narkotike, duke vënë në pranga një person.

Nga ana e policisë së Himarës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në qytetin e Himarës po qarkullonte një automjet i dyshimtë, menjëherë kanë organizuar punën, me qëllim bllokimin e këtij mjeti.

Në tentativë për t’u larguar dhe për t’i shpëtuar shërbimeve të policisë, drejtuesi i automjetit “Ford Fiesta” e ka hedhur nga automjeti lëndën narkotike, pranë zonës bregdetare të quajtur “Livadh”, Himarë.

Në ndjekje e sipër, efektivët e policisë kanë bërë kapjen e menjëhershme dhe arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, 26-vjeçarin Klaudio Prendi, banues në Shkodër.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 13 kilogramë kanabis, një automjet “Ford Fiesta” dhe një sasi parash prej 2400 eurosh.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al